Rreth Nesh

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (më tej DPAP),  Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (me tej DRAP) dhe Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar (me tej “ZVAP”) janë krijuar me VKM  nr. 99, datë 27.02.2019  “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar”

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë përfaqësohet në nivel rajonal nga Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, të cilat janë në varësi administrative të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP).

ZVAP-et funksionojnë si njësi e ofrimit direkt të shërbimeve dhe janë në varësi administrative të DRAP-ve.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka për mision ofrimin dhe sigurimin  e shërbimit arsimor cilësor në të gjitha institucionet arsimore të sistemit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me politikat, strategjitë kombëtare dhe kurrikulën e arsimit parauniversitar, me qëllim zhvillimin dhe edukimin e plotë e të gjithanshëm të nxënësit, në mënyrë që të përballojë sfidat e së ardhmes

 

DPAP është e organizuar në:

  1. nivel qendror, nëpërmjet drejtorisë qendrore;
  2. nivel rajonal, nëpërmjet 4 drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar;
  3. 51 njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore të sistemit parauniversitar publik.

 

DPAP ka këto përgjegjësi kryesore:

  1. Të ofrojë shërbim cilësor në sistemin arsimor parauniversitar nëpërmjet monitorimit, vlerësimit dhe inspektimit.
  2. Të organizojë punën për menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e institucioneve të sistemit arsimor parauniversitar për pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
  3. Të koordinojë administrimin e burimeve njerëzore në sistemin arsimor parauniversitar publik, sipas legjislacionit në fuqi.
  4. Të sigurojë se funksionet e lidhura me planifikimin, zbatimin, kontabilitetin dhe raportimin financiar për institucione publike të arsimit parauniversitar të kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  5. Të vlerësojë përmbushjen e kritereve të licencimit dhe të ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve arsimore private në fushën e arsimit parauniversitar, si dhe t’i propozojë ministrit dënimin administrativ plotësues të pezullimit apo heqjes së licencës për ushtrimin e veprimtarisë.

 

DPAP, është tërësia e institucioneve administrative dhe ofruese të shërbimeve arsimore parauniversitare, pjesë integrale e sistemit të ministrisë përgjegjëse për arsimin, që kontribuon në realizimin e qëllimit të përgjithshëm për shërbim arsimor cilësor.

DPAP organizohet në zbatim të urdhërit të Kryeministrit nr. 68, datë 05.04.2019 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Drejtorisë së Përgjithshme dhe Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniveristar”.

 

DRAP, është tërësia e institucioneve administrative dhe ofruese të shërbimeve arsimore parauniversitare pjesë integrale e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniveristar, që kontribuon në realizimin e qëllimit të përgjithshëm për shërbim arsimor cilësor.

DRAP organizohet në zbatim të urdhërit të Kryeministrit nr. 68 datë 05.04.2019 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Drejtorisë së Përgjithshme dhe Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniveristar”.

 

DVAP, është tërësia e institucioneve ofruese të shërbimeve arsimore parauniversitare pjesë integrale e Drejtorisë Rajonale e Arsimit Parauniveristar, që kontribuon në realizimin e qëllimit të përgjithshëm për shërbim arsimor cilësor.