Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në shkollën “Martin Camaj” në Shkodër, për të parë nga afër funksionimin e laboratorit të ri Smart, pjesë e një nisme kombëtare për integrimin e teknologjisë në arsimin parauniversitar.

Shkolla “Martin Camaj” është një nga 200 shkollat e pajisura së fundmi me këto laboratorë inovativë, që ofrojnë nxënësve mundësinë për të fituar njohuritë e para digjitale përmes programeve argëtuese dhe kreative.

“Laboratori i ri SMART tashmë shërben jo vetëm për lëndën e TIK-ut, por edhe për lëndë të tjera. Në Shkodër, ne kemi bërë të mundur që tashmë në 10 shkolla të kemi 10 laboratorë Smart. Në të gjithë Shqipërinë janë 216 laboratorë inteligjentë të instaluar në shkolla. Do të vijojmë me këto investime, sepse vitet e ardhshme synojmë të kemi edhe 654 laboratorë që do të pajisin shkollat tona në gjithë vendin, qoftë për nivelin 9-vjeçar, qoftë ato të mesëm, por dhe do të orientojnë drejt edhe modernizimin e kurrikulës tonë, ku TIK-u tashmë është lëndë integrale qoftë te shkencat, por edhe te ato shoqërore,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Laboratori i ri në këtë shkollë përfshin 14 laptopë, të cilët u shërbejnë 51 nxënësve të klasës së parë dhe të dytë për të marrë njohuritë e tyre të para në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e integrimit të njohurive digjitale edhe në lëndët e tjera në shkollë.

“Në shkollën ‘Martin Camaj’ po shohim sesi kombinimi i dy lëndëve të veçanta, sikurse janë TIK dhe gjuha e huaj, bën të mundur integrimin për rritjen e aftësive digjitale, por edhe aftësive të të shprehurit në gjuhë të huaj. Ky laborator dhe gjithë laboratorët që janë instaluar nëpër shkolla, kemi krijuar edhe këto ambiente të posaçme ku mënyra e mobilimit ka orientuar edhe mënyrën e organizimit të klasës, sepse punohet në grupe që fëmijët të orientohen me kurrikulën, por edhe me mësimet që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha gjithashtu se në qytetin e Shkodrës po bëhen investime të rëndësishme në sektorin e arsimit, me fokus të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore.

“Në Shkodër, jemi duke investuar në sektorin e arsimit, përsa i përket infrastrukturës shkollore, ku tashmë dy shkolla janë pjesë e planit të buxhetit për këtë vit, shkolla ‘Ndre Mjeda’ dhe shkolla ‘Kolë Idromeno’, ku si pjesë e programit të përmirësimit të infrastrukturës shkollore këto shkolla do të ofrojnë standarde shumë të larta.”

Përveç arsimit, investimet po shtrihen edhe në terrenet sportive.

“Jemi duke investuar edhe në terrene sportive, sepse sporti dhe lëvizja sportive, por edhe Shkolla Qendër Komunitare na orienton drejt investimeve në sport, ndaj edhe në Shkodër 3 terrene sportive po i shtohen shkollave, por që do t’i shfrytëzojë edhe komuniteti” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.