Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka kurorëzuar fituesit e radhës të konkursit “Dokumenti im”.
Në një ceremoni vlerësimi të zhvilluar në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, Ardit Bido, Drejtorit të Inspektimit dhe Trajnimeve, Endrit Musaj, Drejtorit të Arkivave Shtetërore Vendore, Lorenc Agalliu, dhjetëra nxënës të gjimanzeve të vendit, kryen një retrospeksion në të shkuarën e Shqipërisë, duke shpalosur dokumente të ruajtura në arkivin e tyre familjar.
Në këtë konkurs, të zhvilluar mes shkollave të mesme, pjesëmarrësit përcollën një sërë dokumentesh autentike, që i shërbejnë përtëritjes së kujtesës kolektive. Për paraqitjen më të angazhuar në garë, u vlerësua gjimnazi “Sami Frashëri”, që përftoi edhe kreun e klasifikimit. Në vend të dytë u rendit gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, ndërsa i treti në radhë, u pozicionua gjimnazi “Qemal Stafa”.
Në mesin e dokumenteve të paraqitura, bënin pjesë: medalje pune, medalje përkujtimore nga Ministria franceze e Luftës, letër falenderimi nga gjenerali francez Sharl de Gol, informacion për shfrytëzimin e një banese si bazë për Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, një kopje të “Kalendarit Kombiar” të Kristo Luarasit etj.
Ky aktivitet u realizua falë bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si edhe me Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar. Ndërkaq, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA-ja është angazhuar edhe përmes prezantimit të ekspozitave kudo nëpër Shqipëri, publikimit të albumeve fotografike, të botimeve dhe shfaqjes së filmave mbi Luftën Nacionalçlirimtare.