Në seancën e Kuvend për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e investimeve të realizuara në arsim.
Një ndër pikat e rëndësishme të investimit është rritja e pagave për mbi 31 mijë mësues, me një rritje deri në 40% brenda mandatit qeverisës.
Ministrja Manastirliu tha se: “Aktualisht, paga mesatare e mësuesve ka arritur në 950 euro në muaj, ndërkohë që janë dyfishuar shpërblimet për ata që përfitojnë titujt “mësues i kualifikuar” dhe “mësues specialist.”
Modernizimi i infrastrukturës arsimore dhe digjitale ka qenë prioritet për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për përmirësimin e kushteve në shkolla, jo vetëm për procesin mësimor, por edhe për aktivitete jashtëshkollore, duke i kthyer shkollat edhe në qendra tërheqëse për komunitetin.
“100 objekte kanë përfituar nga buxhetimi por dhe në partneritet me bashkitë dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, sikurse është ai i BE-së për shkollat. 40 kantiere të reja janë hapur gjatë vitit 2024 në më shumë se 30 bashki duke synuar modernizimin e kushteve në shkollat tona, me klasa, ambiente laboratorike, palestra e ambiente rekreative jo vetëm për zhvillimin e orëve mësimore, por edhe ato jashtëshkollore, pasi shkollat po kthehen gjithnjë e më tepër në qendra tërheqëse për komunitetin”, tha Manastirliu.
Në drejtim të digjitalizimit, Ministrja tha se 216 laboratorë SMART janë shtuar në 200 shkolla në të gjithë vendin, duke e çuar në 300 numrin e institucioneve që tashmë ofrojnë platforma interaktive për mësimin dhe zhvillimin e aftësive digjitale.
“Përmes këtyre investimeve, po i japim mundësinë 35 mijë nxënësve që të rrisin aftësitë e tyre përmes teknologjisë. Investimi në SmartLabs do të vijojë në 600 shkolla të tjera në dy vitet në vijim” shtoi Manastirliu.
Ministrja theksoi gjithashtu mbështetjen sociale për nxënësit , duke përfshirë shpërndarjen e teksteve shkollore falas për mbi 238 mijë nxënës.