HAPET THIRRJA PËR APLIKIME PËR PROGRAMIN TRAJNIMI I TRAJNERËVE
Thirrja u drejtohet mësuesve të rinj, Drejtuesve të Rrjeteve Profesionale dhe Drejtorëve/ Nëndrejtorëve të Shkollave Publike të Arsimit Parauniversitar
Projekti ‘EU 4 Inclusive Teaching’hap thirrjen për aplikime për mësuesit e rinj, Drejtuesit e Rrjeteve Profesionale dhe Drejtorët/Nëndrejtorët e Shkollave Publike pjesë e sistemit para-universitar për të marrë pjesë në programin e Trajnimittë Trajnerëve (ToT). Programi i trajnimit do të rrisë kapacitetet përmes zhvillimit profesional të tyre, duke u përqendruar në mësimdhënien gjithëpërfshirëse dhe kurrikulën e bazuar në kompetenca.
Programi i trajnimit është një prej elementeve kryesore të projektit ‘EU 4 Inclusive Teaching’ i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Tampere (TAMK), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS), Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe Njësinë Qendrore të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU) nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Institutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë dhe Institutin e Nxënësve që Nuk Dëgjojnë. Projekti ka nisur zbatimin në shkurt të vitit 2022 dhe do të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2024.
Projekti do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në arsimin para-universitarnë Shqipëri, përmes përfshirjes së metodave moderne të mësimdhënies të bazuar në kompetenca dhe gjithëpërfshirje. Projekti parashikon përgatitjen e kurrikulave të reja, trajnim për mësuesit dhe mbështetje ndaj shërbimeve psiko-sociale në shkolla. Gjithashtu, projekti do të ofrojë mbështetje për dy shkolla, atëtë fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe atë të fëmijëve që nuk shikojnë, me qëllim të kthimit të tyre në qendra burimore kombëtare.
Programi i trajnimit është i ndërtuar mbi përfundimet e një raporti rishikimi të kurrikulave të zhvillimit profesional për mësuesit në detyrë për sa i përket mësimdhënies gjithëpërfshirëse të bazuar në kompetenca. Puna për rishikimin e kurrikulave dhe hartimin e moduleve të programit (pesë module në total) ka nisur prej pesë muajsh nga një ekip ekspertësh finlandezë nga grupi i Universiteteve të Tampere, dhe nga një ekipi ekspertësh vendas nga Shkolla e Drejtorëve. Trajnimi do të kryhet nga trajnerë finlandezë nën udhëheqjen e TAMK, i cili është një institucion profesional i edukimit të mësuesve në Finlandë, njëkohësisht partner në zbatimin e këtij projekti. TAMK ka përvojë ndërkombëtare në zhvillimin profesional të mësuesve, me njohje të thelluara për çështjet e gjithëpërfshirjes dhe të të mësuarit bazuar në kompetenca.
Programi i trajnimit do t’i pajisë pjesëmarrësit me aftësi rreth metodave të përshtatura dhe novatore për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës për fëmijët në shkollat publiketë arsimit para-universitar. Arsim gjithëpërfshirës do të thotë mundësi konkrete të të nxënit, mësimdhënie me në qendër nxënësin dhe krijimin e një hapësire nxitëse ku nxënësit ndihen të vlerësuar dhe të përkrahur, duke u përqendruar veçanërisht te fëmijët që vijnë nga situata sociale të pafavorshme.
Struktura e programit
Programi i trajnimit do të jetë i ndarë në dy faza. Gjatë fazës së parë do të trajnohen 320 pjesëmarrës për metodat dhe praktikat e reja të mësimdhënies gjithëpërfshirëse të bazuar në kompetenca. Më pas, faza e dytë e programit parashikon që, pas trajnimit të tyre, ata do të zotërojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të ofruar vetë trajnimin dhe mentorimin e 15,000 mësuesve në të gjithë Shqipërinë.
Pjesëmarrësit në trajnim do të jenë të ndarë në grupe prej 25–30 personash. Programi i trajnimit do të ketë shtrirje kombëtare dhe do të mbulojë të katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) (Durrës, Lezhë, Korçë dhe Fier) përkatësisht me nga 3 grupe për çdo DRAP, me përjashtim të Durrësit, të cilit do t’i caktohet një grup shtesë në përputhje me numrin e popullsisë që mbulon kjo DRAP.
Trajnimi është i strukturuar në modalitete të ndryshme të të mësuarit të ndara në ditë me prani fizike, seminareonline, punë në grup dhe studim të pavarur. Procesi i studimit të pavarur do të mbështetet nga një platformë dixhitale që përfshin materiale mësimore dhe detyra.
Trajnimi do të zhvillohet në anglisht dhe do të përkthehet nga një përkthyes profesional në gjuhën shqipe. Seancat e trajnimit do të organizohen në ambiente të përshtatshme të cilat do të sigurohen nga projekti.
Projekti “EU 4 Inclusive Teaching” mundëson trajnimin falas të 320 pjesëmarrësve.
Për më shumë informacion për programin, lexoni shpalljen në këtë lidhje.
Të interesuarit ftohen të aplikojnë duke plotësuar formularin në këtë lidhje.
Afati i fundit për të aplikuar është data 27 dhjetor 2022, ora 17:00.