Përzgjedhja e 320 shkollave publike për të kryer investime në kabinetet e psikologëve dhe punonjësve socialë
Projekti ‘EU 4 Inclusive Teaching’ hap thirrjen për përzgjedhjen e 320 shkollave publike të sistemit para-universitar për të kryer investime në kabinetet e psikologëve dhe punonjësve socialë.
Investimet në kabinete do të përmirësojnë cilësinë e ofrimit të shërbimeve ndaj nxënësve, me vëmendje të veçantë ndaj atyre që vijnë nga kushte të pafavorshme. Pas një vlerësimi paraprak të kryer me psikologë dhe punonjës socialë pranë shkollave publike të sistemit para-universitar në Shqipëri, rezultoi që nevojat më të shumta për investime janë në pajisje të teknologjisë së informacionit si dhe mobilieve. Investimet në përmirësimin e kushteve të kabineteve do të ofrohen vetëm nëpërmjet njërës prej dy paketave të mëposhtme:
- paketa me mobilie (tryeza pune, karrige dhe dollapë); ose
- paketa me pajisje IT-je (kompjuter pune dhe printer).
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian (BE), i cili zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Tampere (TAMK), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Njësinë Qendrore të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU) nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Institutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë dhe Institutin e Nxënësve që Nuk Dëgjojnë. Projekti ka nisur zbatimin në shkurt të vitit 2022 dhe do të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2024.
Projekti do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në arsimin para-universitar në Shqipëri, përmes përfshirjes së metodave moderne të mësimdhënies të bazuar në kompetenca dhe gjithëpërfshirje. Projekti parashikon përgatitjen e kurrikulave të reja, trajnim për mësuesit dhe mbështetje ndaj shërbimeve psiko-sociale në shkolla. Gjithashtu, projekti do të ofrojë mbështetje për dy shkolla, atë të fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe atë të fëmijëve që nuk shikojnë, me qëllim të kthimit të tyre në qendra burimore kombëtare.
Për plotësimin e pyetësorit ftohen psikologët dhe punonjësit socialë. Pyetësori do të ketë për qëllim vlerësimin e nevojave dhe gjendjes së kabineteve në shkollat publike me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara për nxënësit.
I gjithë informacioni që ju do të përcillni gjatë plotësimit të këtij pyetësori do të jetë konfidencial, duke garantuar privatësinë tuaj. Ju bëjmë me dije se të dhënat e mbledhura nga ky pyetësor do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm të projektit dhe nuk do të bëhen publike. Duke plotësuar këtë pyetësor, ju zotoheni se përgjigjet tuaja reflektojnë me vërtetësi të plotë kushtet në të cilat jepni shërbimet tuaja.
Aplikimin mund ta plotësoni duke klikuar këtu.
AFATI I FUNDIT PËR APLIKIM ËSHTË 28 DHJETOR 2022 ORA 17:00!