Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishte në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” që është një nga 50 institucionet arsimore të Tiranës të pajisura me laboratorë Smart, si pjesë e një nisme kombëtare për transformimin e shkollave përmes teknologjisë. Kjo nismë është realizuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe synon që çdo shkollë në Shqipëri të përfitojë nga teknologjia e avancuar për mësimdhënie të suksesshme.

Në vizitën e saj, Ministrja Manastirliu teksa bisedoi me mësuesit e kësaj shkolle theksoi rëndësinë e përmirësimit të cilësisë në arsim përmes përfshirjes së teknologjisë dhe trajnimit të mësuesve në aftësi digjitale.

“Më shumë se 16 mijë mësues do të trajnohen këtë vit dhe vitin e ardhshëm për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, sidomos në aspektin e aftësive digjitale përmes investimeve të mëdha që kemi bërë në laboratorët Smart. Në shkollën ‘Fan Noli’ dy laboratorë të tillë janë tashmë funksionalë, duke u ofruar mundësi për një mësimdhënie të integruar për më shumë se 120 nxënës të klasave të para dhe të dyta. Por kjo qasje e integruar është e vlefshme për të gjitha shkencat dhe për të gjithë ciklet e mësimdhënies, duke përdorur këto investime që ne kemi bërë si qeveri në bashkëpunim me partnerët dhe me Agjencinë Kombëtare të Informacionit.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Laboratorët Smart në shkollat e Tiranës janë pjesë e një rrjeti më të gjerë, ku aktualisht 300 shkolla në mbarë vendin janë pajisur me këto teknologji të reja, dhe parashikohet që edhe +600 shkolla të tjera të përfitojnë gjatë dy viteve të ardhshme. Për të përmbushur këtë synim, Manastirliu theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe përfshirjes së mësuesve dhe dy roleve të reja që janë shtuar në shkollë: koordinatori i cilësisë dhe ai i karrierës, që ndihmojnë në orientimin e nxënësve.

“Rreth 320 mësues koordinatorë do të ndihmojnë shkollat për të identifikuar nevojat për trajnim specifik për mësuesit, si dhe për orientimin në karrierë të nxënësve që fillon që nga klasa e gjashtë. Jam e bindur që këto figura të reja do të japin një hov të ri për cilësinë në arsim dhe për orientimin e nxënësve në karrierë,” tha Ministrja, Manastirliu.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e angazhimit të mësuesve dhe nxënësve në procesin e vlerësimit ndërkombëtar të PISA-s, duke shprehur bindjen se “përkushtimi maksimal për kuptueshmërinë e rëndësisë së këtij vlerësimi do të na çojë në nivele më të larta.”

Shkolla “Fan Noli”, një institucion me traditë 60-vjeçare në Tiranë, ka aktualisht 1,070 nxënës dhe 67 mësues dhe renditet e 9-ta në Tiranë për performancën e saj. Kjo shkollë është e pajisur me dy SmartLab-e që me 30 laptopë që u shërbejnë mbi 120 nxënësve. Shkolla ofron gjithashtu aktivitete ekstrakurrikulare si “Ekipet Sportive” dhe një bibliotekë me mbi 3,400 libra artistikë për të krijuar kushte për edukim edhe përtej klasës.