Njësia Përgjegjëse për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve
Në mbështetje të nenit 10, të Ligjit 60/2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve”, VKM nr. 816, datë 16.11.2016 “Për Strukturën, Kriteret e Përzgjedhjes dhe Marrëdhëniet e Punës së Punonjësve të Njësisë Përgjegjëse në Autoritetet Publike”, Urdhrit nr.1222, datë 12.07.2017 “Për Miratimin e Formularëve dhe Regjistrave te Sinjalizimit dhe Mbrojtjes se Sinjalizuesve”, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP) është krijuar njësia përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
Kjo njësi ndjek në vazhdimësi sinjalizimin e një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve nga hakmarrja në veprimtarinë e saj dhe mban kontakte të vazhdueshme me ILDKPKI-në.
Çdo person, i cili vihet në dijeni për veprime ose praktika të dyshuara të korrupsionit, gjatë punës ose në lidhje me veprimtarinë e tij të punës pranë organizatës, ka të drejtë të sinjalizojë këtë fakt te njësia përgjegjëse.
Sinjalizimi bëhet me çdo mjet komunikimi, në formë të shkruar ose deklarohet verbalisht para ILDKPKI-së ose njësisë përgjegjëse dhe dokumentohet me shkrim prej tyre.
Sinjalizimi përmban të paktën:
- të dhënat e identitetit të sinjalizuesit;
- të dhënat e kontaktit të sinjalizuesit;
- përshkrimin e fakteve e të rrethanave të njohura nga sinjalizuesi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, shoqëruar me provat përkatëse, për aq sa është e mundur;
- referimin përkatës në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për aq sa është e mundur, nga sinjalizuesi, të veprës ose praktikës së dyshuar të korrupsionit;
- në rastin e sinjalizimit të jashtëm, shkaqet ligjore dhe rrethanat e faktit, për aq sa është e mundur, nga sinjalizuesi, për përdorimin e mekanizmit të sinjalizimit të jashtëm.
Sinjalizuesi mund të zgjedhë të mbetet anonim dhe sinjalizimi pranohet, nëse në të janë shprehur qartë dhe janë arsyetuar shkaqet e anonimatit dhe të dhënat e sinjalizuara sigurojnë një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit.
Sinjalizuesit i ofrohet mbrojtja për sinjalizimin e kryer në kushtet e mirëbesimit, të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni, sipas kritereve të parashikuara në ligjin 60/2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve”.
“Sinjalizuesi” gëzon të drejtën e:
- konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit, që përfshin, gjithashtu, mundësinë e sinjalizimit anonim të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni,
- ruajtjen e konfidencialitetit të burimit të informacionit të sinjalizuesit;
- mbrojtjes kundër hakmarrjes.
E-mail: Fiqiri.Cifliku@arsimi.gov.al
Laureta.Bekteshi@arsimi.gov.al
Artjom.Azemi@arsimi.gov.al