Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar 320 mësuesit e përzgjedhur si Koordinatorë të Sigurisë së Cilësisë në shkolla, për të forcuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur zhvillimin profesional të mësuesve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, shpjegoi rëndësinë e dhe detyrat që do të ketë mësuesi koordinator i sigurisë së cilësisë në shkollë.

“Sot ne kemi krijuar një rol të ri brenda shkollës mësuesin koordinator për sigurimin e cilësisë, i cili do të ndihmojë në diagnostikimin e sfidave dhe problematikave që kanë të bëjnë me cilësinë e mësimdhënies. Mësuesi koordinator i cilësisë është aty për të mbështetur procesin e edukimit dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Mësuesi në rolin e koordinatorit për sigurimin e cilësisë do të jetë përgjatë gjithë orëve të mësimit i angazhuar sipas një plani ditor, javor dhe mujor për të kryer vlerësime të brendshme të mësuesve sipas departamenteve dhe lëndëve, duke përdorur instrumente vlerësimi të unifikuara. Ky vlerësim do të realizohet përmes metodave të ndryshme, si biseda ballë për ballë me mësuesit për sfidat dhe teknikat e reja të mësimdhënies. Përmes këtij roli do të krijohet edhe një rrjet mësuesish që do të mbështesin dhe ndihmojnë mësuesit e rinj. Ky proces bazohet në një plan 3-vjeçar trajnimesh, i cili drejtohet nga analiza e zhvilluar nga koordinatori në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës dhe departamentet, dhe përfshin veprime konkrete për zhvillimin profesional të mësuesve. Kërkesat për trajnime dhe edukimin në vazhdim do të dërgohen në Agjencinë Kombëtare të Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar për t’u realizuar si trajnime të zgjeruara, bazuar në sfidat dhe prioritetet e secilës shkollë”, tha Manastirliu duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes mësuesve për të përmirësuar metodologjinë e mësimdhënies.

Ministrja Manastirliu shpjegoi se është në proces edhe modernizimi i kurrikulës shkollore për t’iu përshtatur standardeve të reja dhe për të rritur efektivitetin në mësimdhënie.

“Gjatë këtij muaji do të finalizohet procesi i modernizimit të kornizës kurrikulare, duke sjellë një dokument të ri politikash për përmirësime në lëndët kryesore si gjuha shqipe, matematika, teknologjia, STEM, gjeografia, historia dhe edukimi qytetar. Ndërkohë, jemi në një fazë të rëndësishme që kërkon angazhimin tuaj për të përmbushur kërkesat bashkëkohore, me programe të standardeve ndërkombëtare si Cambridge, Oxford dhe Pearson. Përmes Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve synojmë që deri në 2025 të trajnojmë mbi 16 mijë mësues, duke përfshirë për herë të parë universitetet dhe pedagogët, për të siguruar që praktikat e reja të mësimdhënies të transmetohen efektivisht në klasa.”

Në fund Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se do të ketë një rritje të buxhetit për arsimin për vitin 2025.

“Buxheti i vitit 2025 do të ketë një rritje të konsiderueshme, me mbi 9 miliardë lekë të dedikuara për rritjen e pagave të personelit arsimor. Mbështetja do të vazhdojë edhe për tekstet falas, transportin për nxënësit dhe mësuesit, si dhe për programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional, që siguron trajnime falas për mësuesit. Do të zgjerohet programi Art, Zeje, Sport në 100 shkolla të reja, dhe do të ndërmerren hapa për modernizimin e kornizës kurrikulare, duke hartuar programe të reja për lëndët që kërkojnë më shumë fokus dhe mbështetje”, tha Manastirliu.