Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në shkollën “Hasan Tahsin” për të parë nga afër rezultatet e programit “Art, Zeje, Sport”, një nismë që synon të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e aftësive kreative, artistike dhe sportive të nxënësve në shkolla.
Si pjesë e programit “Art, Zeje, Sport”, nxënësit e kësaj shkolle marrin pjesë në tre klubet e veçanta të programit: Klubi i informatikës, klubi i vetëmbrojtjes dhe ai i muzikës, duke shfrytëzuar kështu mundësitë për të zhvilluar interesa të reja dhe për të zbuluar talente.
“Kemi tashmë 200 shkolla që zhvillojnë programin ‘Art, Zeje, Sport’, në fusha të ndryshme dhe çdo vit pasurojmë shkollat me mjete didaktike për artin dhe muzikën. Po e zgjerojmë edhe më tej me 100 shkolla të reja të përfshira në këtë program, që jo vetëm zbulon talentet e fëmijëve, por i pasuron fëmijët me të tjera aftësi të reja” – tha ministrja Manastirliu.
Programi “Art, Zeje, Sport” ka për qëllim të ofrojë përvojë të pasur për nxënësit në fusha si artizanati dhe folklori, aftësitë digjitale, mbrojtja e mjedisit, bujqësia dhe sportet. Ai u shërben nxënësve të arsimit parauniversitar duke shtuar kohën e qëndrimit në shkollë jashtë orarit mësimor dhe duke i kthyer hapësirat shkollore në qendra komunitare të hapura edhe për pjesëtarët e komunitetit.